Ajten Toptani sjell surprizat e radhës për para-ardhësit e tij që trashëgojnë historinë më të çuditshme të familjeve të mëdha.
– Si kanë vijuar internimet dhe burgosjet e gjyshit të tij, kur ai ishte edhe dhëndri i zyrtarit të njohur të perandorisë, Naim Frashërit.
– Cilat janë historitë befasuese të Toptanajve, që zënë fill në momentet e mbërritjes së Isamil Qemalit në Durrës?
– Momentet ekzaltuese kur nga ballkoni historik i pavarësisë, Ismali Qemali i ka zgjatur Murat Toptanit flamurin historik, të cilin e valëviste duke kënduar me Jani Mingën “Marsejezën shqiptare”.
– Detyrat e spikatura që Ismail Qemali u besoi dy firmëtarëve të veçantë Murat dhe Abdi Toptanit.
– Si ndodhi që dhëndri i Naim Frashërit përfundoi oficer kavalerie në ushtrinë austro-hungareze në Vjenë?
– Çfarë kishte ndodhur në Shqipërinë e ’16-ës, kur Murat Toptani u kthye nga Vjena dhe vdekja e tij e papritur, që tronditi masivisht popullsinë e Tiranës?
– Çfarë i ndodhi në Durrës Ismail Qemalit nga Myftiu dhe prift Jakovi, që kërkoi sigurinë fizike të Toptanasve, të cilët vunë në dispozicion një forcë të armatosur prej 500 ushtarësh?
– Si ka vijuar në të vërtetë udhëtimi i tij drejt Vlorës, kur çdo lëvizje e tij ndiqej me një egërsi turkoshake?
– Si u përjetua situata kritike, kur taboret turke i prenë udhën për të bërë arrestimin e Ismail Qemalit dhe historia e Toptanasve, që morën pjesë në sigurinë e tij?
(Vijon nga numri i kaluar)
Folëm nga numri i kaluar zoti Ajten për arrestimet dhe burgimet e gjyshit tuaj Murat Toptani. Doja të dija saktësisht se sa vite burg dhe çfarë persekucionesh ka pasur nga Porta e Lartë ai njeri që u bë dhëndëri i Naim Frashërit?
Murati u internua dhe u burgos disa herë nga Porta e Lartë dhe kaloi plot 14 vjet burg dhe internime.
Unë ju shpjegova qartë dhe shumë imtësisht se arrestimi i Muratit pati një reagim të madh në shtypin e asaj kohe, sidomos në gazetat e shoqërive shqiptare në Itali, Rumani, Amerikë, Kajro, Greqi etj. Pas burgosjes dhe internimit të Muratit, Dervish Hima vazhdoi të mbante kontakte me vëllain e tij Refik Toptani, nëpërmjet të cilit siguronte futjen e librave shqip, gazetave dhe materialeve të tjera propagandistike, që arrinin nga Bukureshti në Manastir dhe prej andej shpërndaheshin në Strugë, Elbasan dhe në qendra tjera.
Murat Toptani pasi u mbajt i burgosur për disa kohë në Manastir, u internua larg Shqipërisë. Në fillim në Galipoli të Dardaneleve dhe më vonë në Tripoli të Afrikës Veriore, ku u izolua në burgun famëkeq Tarabuluz Garbë. Nga mesi i vitit 1898, Murati bashkë më baba Ahmetin e Prishtinës dhe të famshmin Nevrus Gostivishtin, siç shkruan Mit’had Frashëri, arriti që të arratiset nga burgu i Tripolit, duke dalë jashtë kufijve të Perandorisë Osmane.
Në fillim shkoi në Napoli dhe pastaj u vendos në Brindisi të Italisë. Në arratisjen nga burgu patën ndihmën e arbëreshit Anselmo Lorechio, botuesi i gazetës “La Nazione Albanese” në Brindisi dhe të Nexhip Kajcës.
Arratisja e Murat Toptanit pati jehonë edhe në qarqet diplomatike europiane, sidomos ato austro-hungareze dhe italiane. Ndërkaq, arratisja nuk u prit mirë nga vetë Porta e Lartë dhe disa mbështetës të saj nga radhët e feudalëve të mëdhenj, si për shembull Syrja Bej Vlora, Esat Toptani etj.
Pastaj emrin e tij e kemi në faqet historike të evenimenteve më të mëdha të vendit si në aktin e Pavarësisë, etj. Kështu apo jo?
Murati qe së bashku me Abdi Toptanin, dy delegatët e Tiranës dhe firmëtarët e aktit të Pavarësisë në Kuvendin e Vlorës. Mit’hat Frashëri firmëtar dhe ai ka shkruajtur për atë ditë që: Ismail Qemali me dorën e tij i dha flamurin Muratit për ta vendosur dhe ai së bashku me Jani Mingën kënduan “Marsejezën e kombit Shqiptar” nga ballkoni i Vlorës (Poezinë, Flamuri i Shqipërisë që e shkruajti ato ditë udhëtimi për në Vlorë, të botuar në librin “Vjershat e Murat Toptanit” nga Lumo Skëndo në 1928).
Thatë se ka qenë firmëtar i aktit të Pavarësisë në Vlorë?
Abdi Toptani u zgjodh Ministër i Financave i Governës së Vlorës dhe nuk mori asnjë rrogë nga qeveria, por përkundrazi…, i dha shumë asaj. Gjë kjo që e bën “fenomen unikal” në historinë e qeverive tona.
Po Murati?
Murati u zgjodh anëtar i Senatit. Besimi dhe simpatia e tij për Austrinë e bëri që të shërbejë si oficer kavalerie në gradën e kapitenit në ushtrinë Austro-Hungareze në Vjenë. Kthehet në atdhe më 1916, pra pas 4 vjetësh kur kishte lënë një pjesë të familjes në një gjendje tejet të vështirë.
Ç’farë situate gjeti kur mbërriti në vendin e tij?
Fillimisht qe mjaft optimist për arritjet e mëdha, por më vonë u trishtua nga ngjarjet dhe situata në vend, gjithashtu u zhgënjye nga frenimi i ushtrisë austriake në veri të Vjosës. Perandoria nuk ishte aq e fuqishme. I bëri disa kërkesa komandës ushtarake, por mori përgjigje negative, jo vetëm për avancimin në drejtim të jugut të forcave, por dhe për çështjen që autoriteti Austriak ishte i vendosur në vendimin që dha autonomia e shpallur mbas pushtimit, ishte e mjaftueshme. Për independencën as duhej bërë fjalë për momentin, pasi shqiptarët nuk ishin të përgatitur për të.
Kur është shënuar vdekja e tij?
Vdiq në moshën 54-vjeçare pikërisht në 13 shkurt të vitit 1918-të. Vdekja i erdhi shumë e papritur, pas një ataku kardiak në zemër.
Besoj se tashmë që ai kishte arritur një emër të madh dhe të njohur, a shkaktoi zhurmë të madhe vdekja e tij?
Vdekja e tij u prit me dhimbje dhe dëshpërim nga populli i Tiranës dhe Shqipërisë. Ju bë një varrim madhështor në Tiranë. Shumë gazeta e komentuan lajmin si brenda vendit ashtu dhe nëpër kolonitë dhe shoqëritë shqiptare jashtë.
Kush ka qenë krijimtaria e tij artistike, pasi kam parasysh se në shumë raste ai është cilësuar si një artist shumë i arrirë?
Në krijimtarinë artistike Murati njihet dhe si skulptor dhe piktor. Busti i Skënderbeut i restauruar nga Odhise Paskali dhe karikatura “Premtimet e Anglisë” janë nga veprat e para dhe të rëndësishme të artit të Rilindjes Kombëtare, të cilat ruhen në Galerinë e Arteve në Tiranë.
Zoti Ajten. Mendoj se nuk janë të vetëm këta paraardhës të përmendur nga ju si kontribuues në çështjen tonë të shenjtë kombëtare?
Doja të përmendja dhe kontributin e Fuat Toptanit në çështjen kombëtare që më vonë në vitet 20-të, qe kryetar bashkie dhe kryetar i parë i Dhomës së Tregtisë në Tiranë. Kujtoj që në shtëpinë e Toptanasve (Adem Toptanit) u hap konsullata e parë e SH.B.A. dhe gati të gjithë djemtë e kësaj familje studiuan në shkollën “Harry Fulz” që më vonë u persekutuan padrejtësisht si agjentë të imperializmit dhe megjithatë dhanë një kontribut të rëndësishëm për vendin.
Të rikthehemi në pragun e shpalljes së pavarësisë?
Ishin personalitetet e kësaj familje së bashku me atdhetarë të tjerë që i dolën për zot delegacionit të Ismail beut në Durrës, duke e mbrojtur nga turkoshakët dhe prift Jakovi. Kolonelët Hamit Toptani me 500 ushtarë nga Tirana dhe Shijaku kryesisht, Refik Toptani, Abdi Toptani, Murat Toptani dhe dashamirësit e çështjes kombëtare dolën për ta pritur. Avokat Hysni Mushketa që është dëshmitar okular, në librin e tij tregon se, “në qoftë se nuk do të ishin Toptanasit dhe atdhetarët e tjerë, Ismail beut nuk do t’i ngelej as këmisha nga fanatikët antishqiptarë të Myftiut dhe të prift Jakovit, të cilët në Durrës njihnin flamurin dhe autoritetin e Sulltanit. “Rrugëtimi i delegacionit të pavarësisë në drejtim të Vlorës u sigurua kryesisht nga kafshët dhe mjetet si dhe financimet e dhëna kryesisht nga familja “Toptani”, që në atë zonë kishte zotërimet dhe pronat e veta.
Dhe nuk janë përmendur këto vlera?
Historiografia gjithmonë e ka interpretuar thatë dhe shkurt këtë episod të rëndësishëm (ndoshta me qëllim apo për mungesë të dhënash), ndonjëherë duke i dhënë dhe përshkrime romantike jo fort të qarta. Ndonjëherë dukej që rrugëtimi i Ismail beut interpretohej aq shpejt sa të jepte përshtypjen që ishte bërë me teletransport nga Durrësi në Vlorë. Ja se çfarë shkruan Dhimitër Zografi, i cili bënte pjesë në koloninë shqiptare të Bukureshtit, koloni që pati një kontribut të jashtëzakonshëm në Pavarësinë e Shqipërisë. (Vetë kryeministri shqiptarofil i Rumanisë, Takë Jonësku, i dha për “shpenzime të rastit” një çek prej 500 000 franga ari Ismail Qemalit.) Një dëshmi shumë interesante dhe shuan një pjesë të kuriozitetit të të interesuarve, por në pamundësi ta vijoj të plotë, po veçoj disa pjesë.
Ku ka qenë shkruar ky prononcim i Zografit?
Ky shkrim apo kjo dëshmi ka qenë e botuar, por jo shumë e propaganduar.
Nga Dhimitër Zografi thamë?
Po, po shkrimi është botuar për herë të parë nga Dhimitër Zografi në Revistën “Hylli i Mëngjesit” më 30 dhjetor 1917-të.
Dhe çfarë thotë?
Sa arritëm në Durrës vajtëm në hyqymet, që t`u themi vendësve qëllimin tonë. Mytesarifi i atjeshëm, një shqiptar prej Berati, mjaft i ditur po pa ndjenja kombëtarë. Njerëzit e Durrësit nga myslimanët ishin ca të pakët me ndjenja shqiptare, të tjerët fanatikë dhe të datosur nga frika, ashtu edhe nga ana e të krishterëve, veç ca të pakët të mirë, të tjerët grekomanë mavie. Për fatin tonë të mirë, ushtria e atjeshme prej nja 500 vetash të gjithë shqiptarë, dhe koloneli kumandar i tyre Amit Toptani, prej Tirane, një shqiptar fisnik i vleftë, bir shqiponje. Ky zot i shërbeu tepër çështjes sonë në ato ditë aq kritike, dhe kombi ynë s`ia ka për të harruar kurrë këto shërbime, se po të mos ndodhej zotëria e tij kush e di sa kundërshtime dhe ç`mund të pësonim nga fanatikët e Durrësit dhe prej Mutesarifit. Bashkë me Amit Toptanin dhe me ushtarët zumë telegrafën dhe që atje thërritmë gjithë bejlerët edhe parësinë e Shqipërisë. U bëmë të njohur ardhjen e Ismail Qemalit edhe të vijnë të gjithë në Vlorë, ku do të mbahet një kongres i madh dhe të kasnecohet vetëqeverimi i Shqipërisë sonë. Mutesarifi ngriu nga frika. “Unë,- tha- si shqiptar, dëshiroj të mirën e Shqipërisë, po si qeveritar i Turqisë që jam, nuk mund të përzihem në këtë punë. Bëni juve Abdi Toptani, i vëllai i Amit Beut, Murat bej Toptani më të vëllanë edhe shumë të tjerë nga Kruja dhe nga vise të tjera. Pasi mbaruam punët në Durrës, ishim gati për të shkuar në Vlorë. Vlora nga Durrësi nëpër det, mban 5-6 orë, po nëpër tokë, në dimër mban 4 ditë më kuaj të mirë. Ç`kemi parë dhe ç`kemi hequr në këtë udhë, bëhet roman më vete. Fushat e Myzeqesë, të mbytura me ujë, dukeshin si det pa anë, dhe i kemi shkuar kaluar 5-6 orë me këmbë në ujë deri mbi gju. Asisoj dhe udhë të gjata me baltëra të thella që mezi nxirrte këmbën kali. Për të vënë re ish guximi, kurajo, fytyra e ëmbël dhe e pandryshuar e plakut Ismail Qemali, i cili shkonte gjithnjë përpara. Një njeri i pamësuar në ato vise, jo plak si Ismail Qemali, po shumë më i ri, sikur në flori ta veshësh, s`ta bën atë udhëtim. …………
Këtu tani na thërrasin nga Durrësi me telegraf dhe na thonë që Serbët po afrohen në Krujë dhe na pyesin ç’të bëjnë. Durrsakët të humbur nga fanatizmi, nuk deshën të na besojnë ne. Turqia humbi fare edhe që serbët po afrohen në Durrës, por kur panë, armiku u erdhi në prag të portës, atëherë kërkojnë ndihmë prej shqiptarëve. Ismail Qemali, si edhe kur ishin atje u thotë: “Ngrini shpejt flamurin e Shqipërisë në Durrës, Tiranë, Krujë dhe gjetkë”. Përnjëherësh e ngritën flamurin në këto vise. Mutesarifi i Durrësit na thotë me telegram që ai lan duart nga mutesarifllëku, dhe vendin e tij ia la Amit Toptanit. ……………
Të gjithë delegatët ishin mbledhur në shtëpi të Xhemil Beut, në një sallon të madh. U ngrit Ismail Qemali, dhe si e përshkroi humbjen e Turqisë dhe vuajtjet e gjendjen e Shqipërisë mbi rrezikun e madh që ndodhet Atdheu ynë, tjetër shpëtim, tha, s`ka përveç se të ngremë flamurin e Shqipërisë dhe të kasnecojmë vetëqeverimin. “Rroftë Shqipëria jonë”, thërritën të gjithë. “Rroftë flamuri i Shqipërisë”. ……………………….
Në qafë të Llogorasë u bënë ca luftëra, ku grekët, megjithëse qenë tre herë më shumë se tanët humbën më tepër së 100 të vrarë, dhe prej shqiptarëve 4 të vrarë dhe 5 të plagosur. Sa kohë që ndenjëm në Vlorë, dëgjonim shumë lajmë të liga. Një ditë na erdhën nga Berati 200 kalorës turq, që të zaptonin Vlorën, por u doli përpara Murat be Toptani me të tjerë shokë dhe i çarmatosën. Një të diel pas dreke na erdhi një vajton Italian, dhe unë bashkë me z. Dimitri Emanoil (Mboria), pasi morëm leje nga z.Ismail Qemali, u nisëm me këtë vajton për në Brindisi..
Thatë që e keni marrë nga?
Siç jua shpjegova para se ta citoja ai është marrë nga revista “Ylli i Mëngjesit”, e botuar në 30 nëntor të vitit 1917-të.
Pas këtyre që citojmë dhe dëshmohen përditë në këtë debat të jubileut të 100-të të pavarësisë së vendit, mendoj se tashmë historianët dhe politikanët duhet të reflektojnë për historinë kombëtare për faktin se e vëmë re shumë të tjetërsuar dhe cunguar apo jo?
Po,po. Dita e Pavarësisë dhe përvjetori i njëqindtë duhet të jetë dhe një moment i madh reflektimi në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Të kërkohet tek ndjesia e çdo individi në formën e imagjinatës, sakrifica dhe rrugëtimi i vështirë i protagonistëve të veprës së madhe kombëtare. Sa gjak është derdhur në fushat e betejave, sa djersë, sakrifica dhe sa energji është vënë në dispozicion nga patriotët e rilindësit tanë për këtë vend që shpeshherë e kemi shpërdoruar në veprimet e shkaktuara nga ndjenjat për pushtet politik dhe të përfitimit të vockël meskin në kurriz të vendit e të së ardhmes. Duhet të reflektojmë këtë 100-vjetor, ku ishim, çfarë jemi, dhe ku duhet të shkojmë. Asnjë vend i botës nuk bëhet Shqipëri përveç këtij që kemi. Duhet të reflektojmë kur shikojmë Faksimilen e Pavarësisë, emrat e atyre firmëtarëve të ndjejmë në heshtje oshëtimën e sakrificave përpjekjeve dhe betejave të shekullit të kaluar. Të kuptojmë se sa keq më vonë regjimet u sollën me protagonistët e pavarësisë.
Besoj se edhe ju ndani mendimin se është mëkat jo vetëm për historinë fshirja nga kujtesa e burrave të flijuar për çështjen e madhe të kombit?
Pjesa më e madhe e këtyre burrave të kombit u persekutua apo u vranë në rivalitet politik, u persekutuan për arsye klasore, u burgosën dhe u internuan po nga vetë bashkëkombësit e tyre kryesisht, te familjarët e brazat që pasuan të cilët mbajtën barrën e rëndë të luftës së klasave. Pronat ju konfiskuan si familje borgjezësh dhe nuk ju kthyen apo të paktën t’ju kompensoheshin në mënyrë dinjitoze, por ngelën të paligjshëm në të drejtën themeltare.
Kush është dëshira juaj në mbyllje të kësaj interviste të zgjeruar?
Uroj që pas 100 vjetësh të marrë fund tek ne dominimi i preferencave politike mbi interesin e madh kombëtar dhe perspektivën e vendit, për tu aderuar e prosperizuar me dinjitet në familjen e madhe Europiane. E di që ishte një shkrim i gjatë, por pata kënaqësinë në këtë rast të rëndësishëm. Duke e falenderuar lexuesin për durimin që pati. Jap urimet më të mira për festën e 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar
Faleminderit Zoti Toptani.
Faleminderit juve që patët dëshirën dhe paanshmërinë politike dhe emocionale për të përshkruar me qartësi absolute të vërtetën e padiskutueshme të Toptanasve, të cilët sigurisht nuk kanë qenë vetëm, por që uroj të hulumtohet dhe vetëm të hulumtohet si një detyrë e shenjtë ndaj historisë së shkruar të popullit tonë.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)
– shkruar nga Fatos Veliu