50 vite më parë, në 50-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, festime si të 100-vjetorit natyrisht që nuk ka pasur. As emrat e burrave që e bënë këtë shtet nuk u përmendën aq sa sot, kur për ta mësuam nga pak të gjithë. Izabela Toptani, mbesa e njërit prej tyre, Muratit, tregon për jetën e gjyshit, të gjyshes, Asijes, asaj që njihej si e bija e Naim Frashërit dhe babait të saj, inxhinierit të vetëm të naftës së atyre viteve.
Asnjëri prej nesh nuk i ka shpëtuar “britmave” të festimeve të këtyre ditëve për 100-vjetorin e pavarësisë. Qofshin ato të mira dhe ato më pak të tilla. Shpërfaqëm (si asnjëherë tjetër) historinë që nga rrënjët. Shumëkush u njoh për herë të parë me 40 firmëtarët e pavarësisë së vendit, disa nga pasardhësit e të cilëve, për fat, janë ende në jetë. Njëri prej tyre ishte Murat Toptani, gjyshi i Izabelës, ndër të paktat që rrjedh direkt nga dega e tij. Sherif Toptani, babai i Izabelës dhe motrës së saj Xhuzepinës, ishte djali i dytë i Muratit dhe Asijes, vajzës së Naim Frashërit. Si ka qenë jeta e shkollimi i Toptanëve nëpër botë deri sa u kthyen në çifligun e tyre në Tiranë? Persekutimet, martesat e fëmijët që shkolloheshin në shkollat më të mira të Europës qysh sa arrinin moshën e shkollës e deri sa përfundonin universitetin. Izabela kujton ç’i rrëfente i ati për gjyshen, gjyshin dhe jetën e tyre në Kuçovë, ku Sherif Toptani, inxhinieri i parë i naftës, punoi gjithë jetën pasi u kthye nga Gjermania.
Sherif Toptani me gruan Italina
Duket se jeni ndër më të rejat në moshë, pasardhëse direkte e Murat Toptanit, vajza e djalit të tij…
Po, im atë, Sherif Toptani, ishte djali i dytë i Muratit. Po meqenëse martesën e bëri në moshë pak të madhe, fëmijët gjithashtu, unë jam ndër më “të rejat”.
Me moshë të madhe nënkuptoni…
Babai ishte 43 vjeç kur u martua, ndërsa mamaja 26. Ishte një martesë fare e rastësishme.
Si është historia?
Ime më është italiane. Erdhi në Shqipëri në ’43-shin për të punuar si parukiere në Korçë, meqenëse situata e tyre në Itali ishte shumë e keqe, ishin shumë të varfër. Arsyeja pse zgjodhi Shqipërinë ishte se i fejuari i saj ishte këtu me forcat italiane, të cilat pikërisht atë kohë po sulmoheshin nga gjermanët. Kishte vetëm pak muaj kohë si parukiere, solli edhe pajisjet nga Milano, kur u gjend krejt e vetme në fushën e aviacionit në përpjekje për t’u rikthyer në Itali, së paku të shpëtonte jetën. Sulmet nga gjermanët vazhdonin e aty u gjend xhaxhai im, i cili e mori në shtëpi për ta strehuar.
Edhe kjo nuk është se ishte pa rrezik…
Jo nuk ishte, sepse spiunët bënin punët e tyre. Thanë se në shtëpinë e Toptanëve strehohet një fashiste. Erdhën ta marrin e pikërisht në këtë situatë im atë tha se ishte gruaja e tij, për ta shpëtuar. Martesa u bë më vonë, pas kësaj, meqenëse ai e shpëtoi, ajo pranoi të bëhej gruaja e tij.
Murat Toptani me veshje kombëtare, foto Marubi, Shkodër 1896
Kur u lirua?
Kur u ndryshua pushteti në Turqi, i sëmurë dhe pothuajse i verbër. Pas pak kohësh vdiq në internim, në Bey-Basar të Azisë së vogël, në 1882-in.
Si vijoi jetesa e gjyshit tuaj, Muratit? Ku lindi?
Murat Toptani ka lindur në korrik të 1863-it dhe ka vdekur në shkurt të vitit 1918. Historia e njeh si atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor dhe skulptor, kalërues i zoti, mësues që punoi shumë për futjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke. Ishte zotërues i disa gjuhëve të huaja.
Lindi në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait të tij, Saidit. Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyras” të Stambollit, ndërsa studimet e larta i vazhdoi na kolegjin perandorak të “Gallata Saraj”, po ashtu në Stamboll. Gjatë vijimit të mësimeve në shkollën franceze të “Madam Fyras”, meqë babai i tij ishte miku i familjes Frashëri, ai banoi në një shtëpi pranë tyre, që ata vetë ia kishin siguruar. Edukata e të atit dhe kontakti gjatë shkollimit në Stamboll, bisedat me vëllezërit Frashëri në shtëpinë e tyre luajtën rol të madh në formimin e tij.
Asije Frashëri, vajza e Naim Frashërit
Më pas u bë dhëndër pikërisht i njërit prej tyre, Naimit?
Në kohën kur studionte, ishte me të edhe Asije Frashëri, vajza që në fakt ishte e Sherif Frashërit, vëllait të madh të Frashërllinjve, e cila më vonë, u bë bashkëshortja e tij. Asija kishte mbetur jetime dhe u rrit nga xhaxhai, Naimi dhe kjo është arsyeja pse njihej nga të gjithë si vajza e madhe e Naimit, ose pse e quajnë Murat bej Toptanin si dhëndrin e poetit të madh. Pas vitit 1895, Murat Toptani u vendos pothuaj përfundimisht në qytetin e Tiranës, origjinës së tij. Në atdhe, filloi organizimin me miqtë në Tiranë dhe më gjerë se kaq. Më 28 tetor 1897, Murat Toptani u arrestua nga Porta e Lartë. Të gjitha gazetat shqiptare të kohës, të cilat dilnin, sigurisht, jashtë trojeve shqiptare, lajmëruan për një gjë me rëndësi që kishte ndodhur “ato ditë” në Shqipëri.
Si vijoi historia e burgut të tij?
U mbajt për disa kohë i burgosur në Manastir, pastaj u internua larg Shqipërisë. Në fillim në Galipoli të Dardaneleve dhe më vonë në Tripoli të Afrikës Veriore. Nga mesi i vitit 1898, Murati, siç shkruan Mit’had Frashëri, arriti që të arratiset nga burgu i Tripolit, duke dalë jashtë kufijve të Perandorisë Osmane. Murat bej Toptani lëvizi nga një qytet në tjetrin, në kolonitë shqiptare të Italisë, ku vazhdonte propagandën për çështjen kombëtare. Në tetor 1898 u gjend në Bruksel dhe prej andej, së bashku me Faik Konicën, shkoi në Bukuresht. Murat Toptani është ndër të paktët shqiptarë të shquar, për të cilin ka shkruar, më shumë se një herë, vetëm fjalë të mira Faik Konica. Nga fundi i vitit 1899, Murati u kthye në Shqipëri, por nuk qëndroi gjatë, sepse u internua deri në 1908-n në Konja, në Juglindje të Turqisë së sotme. Mbështeti kryengritjen e Kurbinit, të udhëhequr nga Gjin Pjetër Pervizi, 1906-1912, me të cilin Toptanët kishin miqësi tradicionale. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, si përfaqësues i Tiranës, ku i caktuar nga Ismail Qemali vendosi flamurin dhe me atë rast mbajti një fjalim. Fjalimin e tij, më 28 nëntor 1912, në Vlorë, e kanë vlerësuar edhe Mit’hat Frashëri dhe baronesha Marie Amelie Frein von Godin, të dy dëshmitarë në ngjarje.
Xhuzepina dhe Izabela, vajzat e Sherif Toptanit, djalit të Murat Toptanit
Rikthehemi te babai juaj, Sherifi, ku u shkollua?
E gjithë pjesa e parë e jetës së tij, deri në 1928-n ka qenë jashtë, së pari në Turqi, në vitet e para të shkollës, pastaj në Austri e në fund, universitetin e kreu në Gjermani.
E gjithë kjo për t’u kthyer pastaj në Shqipëri?
Po, erdhi dhe punoi këtu te A.I.P.A, shoqëria e nxjerrjes së naftës. Ishte një nga kuadrot e paktë që mbajtën mbi supe ngarkesën teknike dhe organizative për ringritjen e kantiereve dhe industrisë së naftës në të gjitha degat e saj.
Si ishte jetesa në Kuçovë?
Së pari mirë, na dhanë shtëpi të mirë nga ndërtesat e italianëve, pastaj kushtet përkeqësoheshin, në shtëpi më pak të mira, por jo aq sa të ndiheshim të persekutuar, sepse puna e babait ka qenë gjithnjë e mirë, pavarësisht se as është vlerësuar e as është nxjerrë në pah sa duhet. Pas projekteve të punëve së tij ishin emra të tjerë në krye. I falënderohej puna gjithnjë nëpër tribuna, por nuk i përmendej asnjëherë emri.
Asije Frashëri me fëmijët, 9 vëllezër e 2 motra
Njolla e mbiemrit, apo…?
Lufta ndaj tij kishte filluar që në kohën e Koçi Xoxes, kur i patën bërë dy herë atentat, por më pas jo. Ju thashë që, krahasuar me të tjerët, kemi jetuar mirë. Madje, babait i kanë ofruar edhe poste nëpër ministri, por gjithnjë ka dashur të jetë aty ku ishte puna. Politika nuk ka qenë në interesat e tij.
Kam parë disa fotografi të tijat me Enver Hoxhën…
Takoheshin gjithnjë për çështjet e punës. Sa herë Enveri vinte në Kuçovë, do ta takonte patjetër, por edhe babai shkonte shpesh në Tiranë kur u duhej të diskutonin.
Pra me “të madhin” marrëdhëniet ishin korrekte, edhe pse ju vazhdonit të jetonit në Kuçovë?
Po, nuk kam dëgjuar asnjëherë gjë ndryshe. Mamaja ankohej shpesh, e shtynte që të ishte më i përfshirë qoftë edhe politikisht, të paktën t’i njiheshin meritat e të bënim jetë edhe më të mirë. Por mbase ishte për tipin e tij, edhe pse puna e tij ishte ndërtuar aty, vijuam të jetonim në Kuçovë.
Sherif Toptani dhe Enver Hoxha
Domosdo që mamaja do këmbëngulte. Ishte e vetme në vend të huaj…
Për të ka qenë më e vështirë. Njerëzit flisnin, e quanin fashiste, e keqtrajtonin në radhë apo nuk ndihej mirë në situata të ndryshme.
Shqip mësoi shpejt?
Për komunikim të përditshëm po, por nisi të mësoj tamam kur motra ime shkoi në klasë të parë. Mësonte bashkë me të.
Me njerëzit e saj kishte kontakte?
Dërgonim e merrnim letra, na dërgonin pako, ëmbëlsira. Kujtoj panetonet apo rrobat që na sillnin që në atë kohë. Natyrisht që çdo gjë ishte e hapur dhe e kontrolluar më parë, por përgjithësisht vinin. Ka shkuar te njerëzit e saj vetëm dy herë përpara ’90-s dhe ato herë është bërë e mundur, sepse kanë dalë garantë njerëz të përfshirë në politikë, të cilët përpara se të ikte nuk kanë harruar t’i thonë: “Mos harro që ke katër fëmijë këtu”.
Po ju, fëmijët, a ndiheshit të trajtuar ndryshe nga rrethi juaj shoqëror?
Mbiemri i familjes sonë është shumë i gjerë, kështu që të duhej të mbaje përsipër ndonjëherë edhe gjëra që s’të takonin. Toptanët identifikoheshin me Esat Pashën, çka gjyshi, Murati, nuk kishte lidhje, madje kishin ide krejt të kundërta. Kur bënim historinë e Eastit në shkollë, shiheshim të gjithë çuditshëm. Natyrisht ishim fëmijë, nuk kuptonim e ndiheshim keq, më vonë gjërat ndryshuan. Mund t’ju them që shtëpinë e Muratit, Esati e ka djegur dy herë. Ky i fundit ka qenë me teoritë e Lindjes, ndërsa Murati perëndimor. E megjithatë, ne na “këndohej” gjithnjë kënga e Esatit. Përveç kësaj, ishim edhe fëmijët e një italianeje, kështu që damkoseshim dyfish.
Sherif Toptani dhe Enver Hoxha
Si vijoi jeta më vonë…
Im at vdiq përpara vitit 1970, ne fëmijët u shkolluam e u martuam, kush në Kuçovë e kush në Tiranë. Nëna vazhdoi të jetojë aty me vëllezërit. Pas ’90-s, natyrisht që u pajisëm të gjithë edhe me dokumente italiane prej saj.
Shkruar nga: ANI JAUPAJ