Toptani Family

EN

IT

Gjyshi im, Murat Toptani është burgosur në qelitë mizore të perandorisë, në Dardanele dhe Afrikë

Vijon rrëfimi i pinjollit më të afërt të familjes së madhe shqiptare të Toptanasve.
– Kush janë dëshmitë e Ajten Toptanit për gjyshin e tij, njëkohësisht dhëndër të Naim Frashërit, Murat Toptanin.
– Për herë të parë, publiku shqiptar njihet me historinë e pabesueshme të Said Toptanit.
– Si ndodhi që Said Toptani u bë pjesëmarrësi më aktiv i revolucionit borgjez francez të 1848-ës.
– Kush ishin Toptanasit që u bënë firmëtarët e komisionit historik të caktimit të alfabetit të sotëm të gjuhës shqipe.
– Miqësia e çuditshme e Said Toptanit me Kristoforidhin dhe krushqitë e ndërsjellta që lidhi me Frashërllinjtë e famshëm.
– Arrestimet e tij të njëpasnjëshme dhe jeta e tmerrshme në burgun më famëkeq të perandorisë, ku ishte izoluar me Hoxha Tahsinin.
– Vdekja e tij në Azi dhe ardhja e të birit, në Tiranën e trazuar.
– Çfarë deklaroi konsulli i Austro-Hungarisë për djemtë e Said Toptanit dhe kryesisht për Murat Toptanin, që ishte bërë dhëndri i Naim Frashërit.
– Arrestimi i Murat Toptanit dhe izolimi në burgun e tmerrshëm të Tripolit të Afrikës së Veriut, nga i cili arriti të bëhet një “Konti Monte Kristo” i vërtetë, duke u arratisur në mënyrën më spektakolare.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Ajten Toptani. Doja të dija mendimin tuaj, si për faqësues dhe pinjoll drejtpërsëdrejti i një familjeje të madhe shqiptare, se kur ka filluar me të vërtetë lëvizja kombëtare në Tiranë?
Prof Kristo Frashëri përshkruan në historinë e Tiranës: Në mesin e shekullit XIX, qytetarët e Tiranës ishin ende larg kërkesave kombëtare apo indipendentiste. Shoqëria tiranase ishte ende e mbuluar nga hija e minareve dhe e teqeve të shumta islamike. Në rrugë binte në sy numri jo i vogël i hoxhallarëve, imamëve, shehlerëve dhe dervishëve. Lëvizja kombëtare në Tiranë u shfaq gjatë tronditjes që shkaktoi kriza lindore në vitet ’70 të shekullit XIX, më saktë në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. “Ai që shkrepi i pari shkëndijën e patriotizmit në Tiranë ishte Said Seremedin Toptani. Si dëshmi ai sjell memorandumin kundër copëtimit të trojeve shqiptare, drejtuar Kongresit të Berlinit më 22 qershor 1878. Pra, që prej asaj kohe është mbjellë fara e urueshme e shqiptarizmës në zemrat e tiranasve. Said dhe Selim Bej Toptani u rreshtuan në krahun e përkrahësve të lëvizjes kombëtare, po ashtu edhe gjenerali veteran Fazil Pashë Toptani, që qe një mbështetës i rëndësishëm i Ismail Qemalit.

Dhe kush është kontributi i mëtejshëm i familjes së Toptanasve?
Ishte dhe Ali Bej Toptani, kushëriri i tyre, që i ngeli besnik respektimit të kufijve të Perandorisë Osmane. Pasi Saidi përfundoi studimet e para në Stamboll, i vazhdoi studimet jashtë perandorisë. Studioi në qytetin e Venedikut matematikë e shkenca të ndryshme. S. Toptani, studimet e larta i bëri në Universitetin e Sorbonës në Paris, që sipas Aleksandër Gorollovskit (historian rus) së bashku me poetin përparimtar turk Namik Qemalin dhe poetin Shinasi (emri i të cilit iu vu nipit në kujtim të tij) mori pjesë në lëvizjen e Revolucionit Borgjez Francez të 1848-ës, duke luftuar aktivisht në barrikada. Më 1849-ën kthehet në Stamboll dhe punoi pranë Këshillit (Divanit) të Lartë Perandorak. Mbas katër vjetësh ai emërohet Sekretar i Ambasadës së Perandorisë në Paris, ku punoi për 2 vjet. Rikthehet në Stamboll dhe akuzohet për mendime dhe qëndrime të dyshimta separatiste. Në jetën kulturore njihet si njohës i gjuhëve orientale, konstitucionalist, botues i fjalorit tregjuhësh: persisht, turqisht, arabisht. Ai mbante detyra të larta në Egjipt dhe në Kaukaz si i “transferuar”. Më 1852-in takohet në Tiranë me studiuesin e albanologun e dëgjuar Johan George Fon Hahn: “Pata rastin të shoh një djalë shumë të kulturuar, i cili ishte një filolog i gjuhëve orientale, persiane dhe arabe, por që kishte jetuar shumë vite në Paris dhe për këtë arsye fliste një frëngjishte të rrjedhshme dhe ishte vëllai i vogël i sundimtarit të Tiranës”.

Ku evidentohet kontributi i tij në interes të atdheut?
Kontributi për vendin evidentohet në ndërtimin e shkollës së parë laike në vendin tonë (rushdije, ku mësoheshin shumë lëndë të shkencave të ndryshme si matematikë, letërsi, fizikë, kurse gjuhë e huaj ishte frëngjishtja), me një program të përafërt me shkollat unike europiane, me shpenzimet e veta. Duke bërë lutje të vazhdueshme në Ministrinë e Arsimit të Portës së Lartë ai arriti ta hapte atë më tetor 1858, kur deri atëherë në Shqipëri kishte vetëm pak shkolla fetare.

Më tej?
Kontribuoi për telegrafin që lidhte Edrenë, Shkodrën, Tiranën dhe Elbasanin.
Më 1870-ën, bëhet anëtar i Komisionit për caktimin e alfabetit shqip, të kryesuar nga Jani Vreto etj., së bashku me xhaxhain e tij, Sulejman Pashë Toptanin.
Më 1877-ën, ai bëhet anëtar i Komitetit për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare, nën drejtimin e Abdyl Frashërit. Pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nën drejtimin e Abdyl Frashërit, së bashku me kushëririn e tij, Selim Toptanin.
Said Toptani pati një miqësi të madhe me Kostandin Kristoforidhin, kurse miqësia me familjen e Frashërllinjve të Përmetit në Stamboll ishte jo vetëm për shkak të çështjes kombëtare, por u forcua me disa martesa të ndërsjellta.

Kush ishin fëmijët e tij?
Saidi, për shkak të aktivitetit të tij u internua në zona të largëta të Kaukazit. Atje lindi dy djem, Muratin dhe Refikun. Pati dhe dy vajza, Vesimenë dhe Bejxhen. Murati u martua me Asijen, vajzën e Naim Frashërit, kurse Vesimeja u martua me vëllain e vogël të Naimit, Mehmet Frashërin.

Ishte i internuar?
Për shkak të veprimtarisë së tij u arrestua 3 herë nga Porta e Lartë. Vitet e fundit të jetës i kaloi në burgun famëkeq të Judukulesë (kulla e bardhë) si i dënuar politik. Sipas rrëfimeve të babait, ai ka qenë i dënuar me Baba Myrton e Hoxha Tahsimin. Qelitë e ndëshkimit kishin dritare të vogla me hekura dhe kur batica vinte, uji i detit arrinte deri në gjoksin e të dënuarve.

Kur u lirua?
Ai u lirua kur u ndryshua pushteti në Turqi, i sëmurë dhe pothuajse i verbër. Pas pak kohësh vdiq në internim, në Bey-Basar të Azisë së vogël, më 1882-in.

Po për gjyshin tuaj, Murat Toptanin, çfarë mund të tregoni për lexuesin e gjerë?
Murat Toptani ka lindur në korrik të 1863-it dhe ka vdekur në shkurt të vitit 1918. Ai është vëllai i madh i Refikut, dhëndër i Naim Frashërit, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor dhe skulptor, kalërues i mrekullueshëm, mësues e shëtitës, që punoi shumë për futjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke. Ishte zotërues i disa gjuhëve të huaja.

Ku ka lindur?
Lindi në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait të tij, Saidit. Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrës” të Stambollit, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në kolegjin perandorak të “Gallata Saraj” po ashtu në Stamboll. Gjatë vijimit të mësimeve në shkollën franceze të “Madam Fyrës”, meqë babai i tij ishte miku i familjes Frashëri, ai banoi në një shtëpi pranë tyre që ata vetë ia kishin siguruar. Edukata e të atit dhe kontakti gjatë shkollimit në Stamboll, e veçanërisht bisedat, – që në fillim i zhvillonte me Abdyl Frashërin në shtëpinë e tij dhe më pas me Naimin dhe Samiun, – lozën një rol të madh në qëndrimet dhe në formimin e edukimit të tij në përgjithësi.

Ai u bë dhëndër i Naim Frashërit?
Po. Me të përfunduar studimet e larta më 1894-ën, dhe pas martesës me Asijen në vitin 1895, Murati bashkë me të shoqen vendosen në Tiranë, ku i përkushtohet tërësisht çështjes kombëtare.

Kush ishte situata politike e vendit, kur ai u vendos në Tiranë?
Duhet theksuar se në atë kohë situata politike në Tiranë ishte mjaft e trazuar. Sipas njoftimeve të raportit që i jep nënkonsulli i Austro-Hungarisë në Durrës, dy djemtë e Saidit, Murat dhe Refik Toptani, qëndronin në krye të grupit të dytë. Me ta ishin rreshtuar dhe tre kushërinjtë e tyre, – vëllezërit Abdi, Masar dhe Hamit Toptani. Këta të tre ishin djemtë e Adem Toptanit. Refiku e Murati formojnë në shtëpinë e tyre klubin nacionalist shqiptar “Bashkimi” si oponente e partisë “Iftihadit” të Myftiut, pro qeveritarit turk të Musa Qazimit. Kurse një rol të rëndësishëm në qëndresën e shqiptarëve në Kosovë në këtë kohë luajti Haxhi Zeka, i cili mbante lidhje të forta me vëllezërit Frashëri dhe me Murat bej Toptanin.
Vlen të theksohet se në kronikat e kohës, Murat Toptani shënohet si mësues i gjuhës shqipe në Malësinë e Shkodrës, Durrësit, Elbasanit, Pogradecit e gjetkë.

Në këtë kohë është hartuar nga Murat Toptani promemoria e shumë përfolur për Portën e Lartë?
Po, është shumë e vërtetë. Në dhjetor të 1896-ës, popullsia e krahinës së Shpatit, i dërgoi Portës së Lartë dhe ambasadorëve të Austro-Hungarisë dhe Rusisë në Stamboll një promemorie, në të cilën kërkoi të njihnin kombësinë shqiptare. Këtë promemorie, të cilën e nënshkruan 23 përfaqësues të popullsisë së Shpatit, e hartoi Murat Toptani.
Në këtë drejtim, një propagandë të madhe për përhapjen e ideve kombëtare dhe në qëndresën antiosmane gjatë vitit 1896 në Shqipërinë e Mesme dhe në tërë vilajetin e Manastirit, e sidomos në Tiranë, Krujë, Elbasan, Ohër, Strugë etj, bënë Hamdi Ohri dhe Dervish Hima, me të cilët bashkëpunonin ngushtë Murat Toptani dhe Refiku.

Toptanasit i shohim në krah të austro-hungarezëve?
Toptanasit në përgjithësi ishin të inspiruar dhe ithtarë të perandorisë Austro-Hungareze, si mbështetëse e kauzës shqiptare, ndaj dhe mbanin lidhje me konsujt dhe përfaqësuesit e saj në Shqipëri.

Gjithashtu përmendët paksa shkarazi, se kontributi i tyre ekziston pikërisht edhe në drejtim të shkollës shqipe?
Më 1897-ën, Vjena vendosi hapjen e shkollës shqipe për djem në Tiranë, duke ua ngarkuar organizimin Muratit, Refikut dhe Abdiut. Shkolla shqipe u hap fillimisht në shtëpinë e Osman Elezit, me mësues shkodranin Filip Ashiku. Po atë vit Murati arrestohet nga Porta e Lartë dhe akuzat drejtuar ndaj tij ishin se përkrahte idenë për autonominë e Shqipërisë edhe për përpjekjet që të bashkonte Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut me Besëlidhjen e Haxhi Zekës, duke punuar për ngritjen e shoqërive dhe të degëve të Komitetit Shqiptar në Shkodër, Pejë, Gjakovë, Mat e në gjithë Toskërinë.

Kishte reagim publik për arrestimin e tij si njeri i njohur i asaj kohe?
Arrestimi i Muratit pati një reagim të madh në shtypin e asaj kohe, sidomos në gazetat e shoqërive shqiptare në Itali, Rumani, Amerikë, Kairo, Greqi etj. Pas burgosjes dhe internimit të Muratit, Dervish Hima vazhdoi të mbante kontakte me vëllain e tij Refik Toptani, nëpërmes të cilit siguronte futjen e librave shqip, gazetave dhe materialeve të tjera propagandistike, që arrinin nga Bukureshti në Manastir dhe prej andej shpërndaheshin në Strugë, Elbasan dhe në qendra tjera.

Si vijoi historia e burgut të tij?
Murat Toptani mbasi u mbajt i burgosur për disa kohë në Manastir, u internua larg Shqipërisë. Në fillim në Galipoli të Dardaneleve dhe më vonë në Tripoli të Afrikës Veriore, ku u izolua në burgun famëkeq Tarabuluz Garbë. Nga mesi i vitit 1898, Murati bashkë më baba Ahmetin e Prishtinës dhe të famshmin Nevrus Gostivishtin, siç shkruan Mit’had Frashëri, arriti që të arratiset nga burgu i Tripolit, duke dalë jashtë kufijve të Perandorisë Osmane.

Ku përfundoi?
Në fillim shkoi në Napoli e pastaj u vendos në Brindizi të Italisë. Në arratisjen nga burgu patën ndihmën e arbëreshit Anselmo Lorechio, botuesi i gazetës “La Nazione Albanese” në Brindizi dhe të Nexhip Kajcës.
Besoj se ka bërë përshtypje arratisja nga një burg i një sigurie të tillë, që ka pasur në atë kohë perandoria e fuqishme e kohës?
Arratisja e Murat Toptanit pati jehonë edhe në qarqet diplomatike europiane, sidomos ato austro-hungareze e italiane. Ndërkaq, arratisja nuk u prit mirë nga vetë Porta e Lartë dhe disa mbështetës të saj nga radhët e feudalëve të mëdhenj, si për shembull Syrja Bej Vlora, Esat Toptani etj.

Ku jetoi pas kësaj?
Ai qëndroi i arratisur në Brindizi, prej ku filloi të bashkëpunoj me Anselmo Lorekion në gazetën e tij. Atje Murati botoi shkrimin kushtrim “Shqipëria e Shqiptarëve”, në të cilin mes të tjerash ai shkruante: “Kurrë nga jeta e shqiptarëve s’u ndal shpresa dhe dëshira e lirisë” dhe vjershërimet “Vllaznia”, “Shpata e Skënderbeut” etj. Në një letër të datës 20 korrik 1898 drejtuar dr. Ibrahim Temos, Murati shkruante nga Brindizi: “Jetën time ia kam falur Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë. Sa të kem edhe një pikë gjak, do ta derdh për mëmëdheun e dashur, kudo që të jem, si do që të jetë”.

Jam kurioz të di se cilat kanë qenë marrëdhëniet e tij me Faik Konicën e famshëm?
Për Faik Konicën ai ishte një nga bashkëpunëtorët dhe një (për shumë kohë) nga miqtë e tij më të mirë, por nga ana tjetër, Faiku me natyrën e tij, nuk ia kurseu kritikën dhe lavdin Muratit. Në dokumentin e tij interesant që ndodhet në Arkivin e Vjenës, i shkruar me dorë në gjuhën frënge “Parashtresa e Rilindjes Kombëtare” ai shkruan për të: Murat Beu është patriot i flaktë, dhëndër i Naimit, por me shpirt jo fort të qëndrueshëm, piktor e poet…, por e them më bindje që, ai së bashku më Markizin e Lauletës janë dy trashëgimtarët tanë në një fron imagjinar”.

– shkruar nga Fatos Veliu

Scroll to Top